Monday, January 28, 2013

STUDIM: "Demokracia dhe Zhvillimi"

DEMOKRACIA DHE ZHVILLIMI

Indeksi

1. Hyrje
2. Vjen më parë demokracia apo zhvillimi?
3. Demokracia si kusht për zhvillimin
3.1 Përballja
4. Përmbledhje
5. Bibliografia

Hyrje
Në këtë temë do paraqes dy ide shumë të lakuara në periudhën në të cilën jetojmë. A është demokracia ajo që gjeneron zhvillim ekonomik për një vend apo ndodh e kundërta? Të diskutosh rreth tyre është bërë dicka mjaft e rëndësishme dhe është në vështrimin e mjaft autorëve si në lëmin politik si dhe të atyre në fushën ekonomike. Në një sistem botëror gjithnjë e më të globalizuar, ku kryefjala është arsimimi dhe zhvillimi teknologjik, është mjaft e rëndësishme të kuptosh se kush është lidhja që ekziston midis demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Si këto dy faktorë ndikojnë në procesin e konkurencës së kapitalit njerëzor, ekonomik dhe inovacionit teknologjik.
Me anë të kësaj pune jam përpjekur të jap një vështrim të përgjithshëm dhe modest rreth kësaj teme të gjërë.


Vjen më parë demokracia apo zhvillimi?

Argumenti se demokracia është fryt i pjekur i zhvillimit ekonomik – e njohur si teoria e modernizimit – ka qënë hedhur nga Lipset që në 1959 dhe më pas i është nënshtruar verifikimit empirik nga Barro 1999, Glaeser 2004, Dijankov 2003. 
Ideja në të cilën bazohet kjo rrymë është e dyfishtë. 
Vetëm në vendet ku shtetasit e të cilëve kanë arritur tashmë një nivel të caktuar të arsimit do të jenë në gjendje për të zgjedhur, një udhëheqës demokratik të aftë për të qeverisur. Kjo është një tezë e parashikuar nga John Deëey në fillim të shekullit të njëzetë. Ai kishte vërejtur se nivelet e larta të arsimit janë një parakusht i demokracisë sepse ndihmojnë qytetarët në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre me mjete paqësore duke përdorur negociatat dhe duke vlerësuar të drejtën e votës. 

Ideja tjetër është se vetëm në vendet ku prosperiteti ekonomik është arritur nga shumica e qytetarëve votimi universal nuk lejon që parlamenti të aprovoj politika të gabuara rishpërndarëse, të cilat mund të rrezikojnë në të ardhmen rritjen ekonomike të një vendi. Ndërsa në vendet ku përqindja e atyre që jetojnë në varfëri është e lartë, demokracia rrezikon të jetë e rrezikshme, sepse të varfrit do të votonin në masë për politika dhe programe zhvillimi (ëelfare) të cilat do t’i ndihmonin në përmisimin e kushteve të jetesës.

Kjo linjë mendimi gjen zbatim në rastet e Koresë, Tajvanit dhe të Kinës vende të cilat kanë deklaruar se mund të mbështeten vetëm në burimet kombëtare për të zhvilluar vendin. Korea e Jugut dhe Tajvani kanë patur një zhvillim të vrullshëm të bazuar në politika në favor të kapitalit fizik dhe njerëzor por që në thelb mbeten politika diktatoriale. Ndërsa rasti i Kinës është më i ndryshëm pasi Kina ka nisur një periudhë tranzicioni drejt demokracisë. Megjithatë ky tranzicion i nisur nga Deng mbetet vetëm në fazën e hapjes së tregut por qëndron larg parimeve themeltare të demokracisë. Në mënyrë të drejtpërdrejt kjo gjë varet nga niveli arsimor tëpër i ulët i Kinës. Në këtë vend dhe pse propagandohet e drejta e arsimimit dhe barazisë gjinore realiteti është krejt tjetër. Ka një disnivel të theksuar midis qyteteve dhe fshatrave. Numri i atyre që studiojnë në qytete është gjithmonë në rritje por në fshatra numri i familjeve që dërgojnë fëmijët në shkolla është tëpër i ulët. Më të diskrirminuarat janë vajzat kjo për arsye të mentalitetit vendas që e konsideron cdo shpenzim për të bijat e tyre të pavlerë. Gjithë kjo situatë krijohet si pasojë e nivelit ekonomik tepër të ulët, të ardhura për frymë të pa mjaftueshme për të përballuar arsimimin sidomos atë të lartë . 

Mendoj se i vetmi rast që konfirmon këtë tezë mbetet ai i Koresë. Deri në vitin 1946 dy Koretë ishin të ngjashme përsa i përket profilit etnik, kulturor, ekonomik dhe social . Më pas për një sërë motivesh gjeopolitike, pjesa jugore e vendit përqafoi kapitalizmin ndërsa veriu i vendit komunizmin. Për rreth tridhjetë vjet të dy vendet ishin nën diktaturë por me rezultate ekonomike thelbësisht të ndryshme. Situata ekonomike e këtyre vendeve ishte aq e ndryshme sa që Korea e Jugut në 1980 arriti të bëhej një vend demokratik me një rrogë për frymë prej 1589 dollare. Ndërsa Korea e Veriut, edhe sot e kësaj dite diktaturë, rregjistroi të ardhura për frymë prej 768 dollarë. Pabarazia midis këtyre vendeve vazhdon të jetë dhe më e madhe 

Demokracia si kusht për zhvillimin

Diametralisht e kundërt është teza e atyre që mbështesin idenë se demokracia është hapi i parë për të zhvilluar më pas vendin ekonomikisht. Rëndësia për t’i vënë kufij pushtetit ekonomik të pranuar dhe nga qeverisja e një vendi gjen shprehje në autorë si Buchanan e Tulock 1962 dhe North 1990. Kjo ide përkrahet dhe nga autorë më kontemporan si Hall dhe Jones 1999, dhe më së fundmi nga Daron Acemoglu . Këta autorë kanë publikuar një sërë kërkimesh, të bazuara në fakte empirike, të cilat mbrojnë idenë që institucionet demokratike gjenerojnë zhvillim.
Ideja e parë mbi të cilën bazohen këto kërkime është ajo që e shikon demokracinë si një mekanizëm që krijon dhe shpërndan informacion. Kjo do të thotë që të lejoj qytetarët të shprehin mendimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me efikasitetin e politikave dhe ndërhyrjeve që qeveritë bëjnë. Kjo gjë do ishte mjaft e favorshme dhe për politikanët të cilët do e përdornin si një feed-back.

Arsyeja e dytë pse një vend përfiton nga institucione demokratike është që këto institucione arrijnë të mbledhin kapital social, faktor thelbësor për zhvillimin e një vendi. Të arrish në këtë nivel demokracie është e nevojshme të kesh një popullsi shumë mirë të arsimuar, e cila është e aftë të ingranoj interesin publik dhe të veproj njëkohësisht me të. Mbetet detyra e një demokracie të shëndoshë të inkurajoj pjesmarrjen e popullsisë së saj në shoqërinë civile dhe debatin publik. Sipas këtyre autorëve kjo arrihet me anë të investimeve publike të vazhdueshme, që mbajnë të ndezur aparatin motivues të qytetarve . Duke bërë këtë gjë zhvillimi ekonomik i një vendi është gjithmonë në l&e uml;vizje.
Në përmbledhje të kësaj ideje mund të thuhet se demokracia shërben në pakësimin e disniveleve ekonomike e shoqërore brenda një vendi, gjë që ul dhe shkallën e pasigurisë ekonomike. Një ekonomi tregu për të funksionuar ka nevoj për siguri. Vetë nocioni i racionalitetit ekonomik bazohet tek siguria, në ekonomi një subjekt shumë i pasigurtë është i paaftë të marr vendime ekonomike pasi për të bërë këtë ka nevoj të ketë një prespektivë. Zemra e dinamikës kapitaliste është “ kreativiteti shkatërrues” sipas Schumpeter. Kjo gjë sjell dhe shumë pasiguri. Kjo është arsyeja pse realizimi i ëelfare state shikohet si një krijim që i ka lejuar sistemit ekonomik të jetë shumë konkurues gjë që në thelb sjell pasi guri. 

Në fakt vendet e Europës së Veriut që sot për sot kanë sisteme ekonomike të bazuara në një konkurencë tepër të fortë, janë dhe vendet që shpenzojnë më shumë për të përmbushur nevojat personale. Investimet në shërbime sociale krijojnë premisat për zhvillimin e institucioneve të afta për të përballuar konfliktet sociale dhe favorizojnë sipërmarrjen e lirë edhe pse është më shumë e prirur drejt riskut. Megjithatë e gjithë kjo rrit produktivitetin e përgjithshëm të sistemit.


Përballja


Cila nga tezat e lartë shpjeguara është më bindësja? Kjo është një pyetje që e ka shumë të vështirë përgjigjen. Arsyeja është që kërkimet ekonomike bazohen vetëm në studimin e realitet ekonomik vetëm të një vendi dhe e kanë të vështirë të gjejnë një emërues të përbashkët ekonomik që të bëjnë krahasime midis shteteve. Kjo gjë anashkalon ekzistencën e lidhjeve shkakësore . Për këtë arsye sic shpjegon dhe Acemoglu është e nevojshme të merren parasysh ndryshimet ndërmjet vendeve. Duke marrë parasysh këtë studiuesit janë përpjekur t’i japin përgjigje pyetjeve si: Nëse Kolumbia do pasurohej më shumë a do mund të bëhej më demokratike se SHBA?
Sipas Acemoglu është kjo metoda që duhet të ndjekin autorët e modernitetit , gjë që nuk e bëjnë. Nëse merren parasysh ndryshimet që ekzistojnë ndërmjet shteteve apo dhe brenda një shteti arrihet në konkluzionin që mund të kalohet nga demokrcia në zhvillimin ekonomik dhe jo e kundërta.
Kjo nuk do të thotë që pas 50 apo 100 vjetësh, arsimimi dhe të ardhurat për frymë të mos jenë vendimtare për demokracinë .


Historia ekonomike na mëson që një krizë e gjatë ekonomike prodhon një demokraci dhe shumë të rralla janë rastet kur një zhvillim i madh ekonomik sjell kapërcimin e diktaturës. Përballë situatave të një depresioni të tejzgjatur ekonomik është shumë e lehtë për një diktaturë të rrëzohet – sic është rasti i vendeve të Evropës Lindore ku bën pjesë dhe Shqipëria.

Sipas Acemoglu në shoqëritë jo demokratike, ku pushteti politik është në duart e një partie të vetme ndodh që kontrolluesit e pushtetit ekonomik të mbajnë një nivel të ulët taksash, gjithashtu krijojnë dhe barriera në hapjen e tregut vendas drejt ekonomisë së tregut kjo për të ruajtur pushtetin e tyre të pacënuar. Në shoqëritë demokratike ndodh e kundërta: pushteti politik bën që dhe shtresat në nevojë të përfitojnë nga një sistem taksash rishpërndarëse. Gjithashtu prodhuesit ekzistues në treg nuk arrijnë të vendosin barriera që ndalojnë futjen në treg të prodhuesve potencial.
Në fazat e para të krijimit sistemet diktatoriale shënojnë nivele të larta të rritjes ekonomike kjo sepse gjenerata e parë e sipërmarrësve dhe prodhuesve nuk kanë nevojë për konkurencë e mbi të gjitha konkurencë teknologjike për të pasur një performancë të lartë ekonomike.
Por kjo gjë nuk është e vlefshme kur flitet për një kohë afat gjatë, kur ndryshimet teknologjike ecin me ritme mjaft të larta. Në raste të tilla kosto për të përballuar izolimin e tregut të brendshëm është shumë më e lartë se ajo që vjen nga liberalizimi. Të mos lejosh mekanizmin e konkurencës të funksionojë do të thotë të pregatitesh për krizë dhe për rrënim të sistemit politik. Për këtë arsye rruga e demokracisë është ajo më e sigurta për zhvillimin ekonomik në një periudhë afatgjatë.

Përmbledhje


Nëse marrim si të mirëqen faktin që demokracitë liberale respektojnë të drejtat themeltare të njeriut nuk është e pranueshme ideja e atyre që mendojnë se fillimisht duhet aktivizuar leva e zhvillimit ekonomik për të arritur tek demokracia. Kjo sepse nuk mund të sakrifikohen të drejtat e gjeneratës aktuale në mënyrë që të gëzojnë gjeneratat që do të vijnë.
Këta autorë shpalosin një mesazh mjaft të rëndësishëm sipas të cilit demokracia është një produkt mjaft delikat dhe për pasoj duhet të kujdesemi ta ruajmë atë.
Konkluzioni në të cilin arrij është i dyfishtë. Në rradhë të parë demokracia nuk mund të mbrohet vetëm nga një sistem shumë partiak por duhet të jetë e gjithë shoqëria civile ajo që duhet të marr rolin e vigjiluesit të demokracisë në vend.
Në rradhë të dytë është e nevojshme që principi i demokracisë të shtrihet dhe në sferën ekonomike. Demokracia e shtrirë vetëm në sferën politike është e prirur të mos zgjasë shumë ose të mos jap maksimumin e saj. Në këtë sens është i rëndësishëm pluraliteti i formave të sipërmarrjes së lirë, organizimi i tregjeve të kapitaleve, zhvillimi i sistemit bankar, respektimi i të drejtave të pronësisë e kështu me rradhë. Duhet të ndërhyet në të gjitha këto fusha nëse duam të kemi një demokraci të shëndoshë dhe vitale.

Biografia

• Jerome S. Bruner, Verso una teoria dell’istruzione, fq. 67-68, Armando Editore, Roma, 1999.
http://www.de.unito.it/web/member/segreteria/WP/2011/13_WP_Saccone.pdf
• Michael Alvarez, José Antonio Cheibub, Fernando Limongi, Adam Przeworski, Democracy and Development, CUP, Cambridge 2000, 
http://nd.edu/~mcoppedg/QPA/PrzEtAl.pdf
• Robert J. Barro, Determinants of Democracy, “Journal of Political Economy”, n. 107, 1999, pp.158-18
• J. Schumpeter, Capitalismo, Socialismo e Democrazia, Etas Libri, Milano, 2001.
• Daron Acemoglu, Simon Johnson, James A. Robinson, Pierre Yared, From Education to Democracy, NBER, 11-204, Mars 2005.
Robert Hall, Charles I. Jones, Why Do Some Countries Produce so much more Output per Worker than Others, Quarterly Journal of Economics, CXIV, 1999.




DERGUAR NGA: RONALD GJELI, DURRES

No comments:

Post a Comment