Romani "Sikur të isha djalë" ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t`u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikëpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinionin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s`kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. "Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz" - shkruan ajo në ditarin e sa j. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë. Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s`mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror.
Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare.
Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.
Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rë ndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.
No comments:
Post a Comment