Friday, January 3, 2014

ESE Reflektuese: Unë votoj, për vete...

Jetojmë në një shtet i cili është në zhvillim e sipër dhe sfida më e madhe për shtetin tonë është zhvillimi me ritme të shpejta duke u bërë një shtet i zhvilluar. Duhet të pohojmë se për të arritur këtë status duhen kapërcyer shumë “pengesa” të larta dhe dinake, të cilat nëse nuk i kushton vemendjen e duhur, të fusin në kurth dhe detyrimisht, bie në grackë. Prandaj për vigjilencë, përkushtim dhe seriozitet, shteti ynë ka përcaktuar disa “koka të arta” të cilat, përmes propagandimeve dhe fjalëve imponuese, të bëjnë të besosh që mund ta ngrenë shtetin tonë në një nivel të barabartë me shtetet e tjera elitare dhe “kryelarta.” Këto persona, të cilët konsiderohen si persona me mja ft vlerë për qytetarët e vendit, që t’i provojnë popullit sesa të aftë janë dhe sesa aftësi kanë që ta çojnë vendin përpara, kanë vetëm një pengesë në ushtrimin e aftësive të tyre dhe kjo pengesë mund të hiqet vetëm nga populli.
E kam fjalën për votën, të cilën unë personalisht e konsideroj si një “kult” mjaft të shenjtë për mbarëvajtjen e vendit tonë, pasi vota është synimi i përbashkët i qytetarëve drejt zhvillimit. Se kush më intereson mua për të votuar nga këto “misionarë të së ardhmes”, ajo është puna ime. Është e drejta ime të votoj kë të dua dhe për zgjedhjen time kam arsyet e mia pavarësisht se ç’mund të mendojnë të tjerët. Ëshë detyra e këtyre “misionarëve” që t’ia imponojnë votën kundrejt tyre, qytetarëve. Kjo është zotësia e tyre, por detyra ime është që t’i besoj njërit prej tyre duke i dhënë “çelësat e shtetit” në dorë për n jë jetesë më të mirë. Ajo ç’ka më intrigon është se si munden qytetarët që të “shesin” votën e tyre pa patur asnjë pikë turpi e pa i vrarë ndërgjegja. Vota është e lirë, e përgjithshme, e barabartë për të gjithë, e drejtpërdrejtë dhe e fshehtë. Vota është e vetmja pronë e qytetarit, duke filluar nga më i varfri deri te më i pasuri, me anë të së cilës mund të bëhesh shkak për zhvillimin e vendit tënd, pa patur asnjë lloj detyrimi monetar. Prandaj them se vota është e shenjtë, pasi lejon cilindo të marrë pjesë në luftë, por pa u dëmtuar. Dihet se vota të cilën unë ia besoj atij që mendoj se përmbush kriteret për ta çuar shtetin një shkallë më sipër, pres të më kthehet në vepra, por kjo nuk do të thotë se gjithmonë dal i fituar me vendimin tim. Ka raste dhe kur zhgënjehem, por kjo nuk do të thotë se unë nuk ia vlen të votoj më. Përkundrazi, kjo më shtyn që të rrezikoj dhe të votoj për “dikë” tjetër, i cili ka një program më të besueshëm dhe më të realizueshëm drejt zhvillimit të vendit tim.
Unë votoj për vehte sepse nëpërmjet votës unë përfaqësoj vehten time, pikëpamjen time, besimin për zhvillim dhe integrim. Vota është një letër e vogël për nga përmasat, por e madhe për nga rëndësia, aq e madhe saqë nëse i adresohet personit të duhur, mund të bëjë mrekullira. Prandaj vota duhet të vlerësohet, sepse është prona personale e çdokujt prej nesh, e cila nuk jepet me qera, nuk jepet hua dhe as nuk shitet. Duhet t’i japim votës vendin që i takon, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta ngremë shtetin tonë në piedestal duke e bërë jetesën tonë më frytsjellëse, produktive dhe të drejtë.


NGA: Erblin Zekthi

No comments:

Post a Comment