“Çfarë më thonë 100
vjet pavarësi e vendit tim”.
Flamuri po ngrihej lart e më lart. Nën tingujt e himnit të
flamurit dhe të brohorimave të qytetarëve, ai valvitej krenar mbi qytetin e
Vlorës, në të njëjtën mënyrë si 100 vjet më parë. Ja, më në fund arriti në majë.
Shqipëria mbushi 100 vjet shtet i pavarur. 28 Nëntori i këtij viti shënoi jo
vetëm ditëlindjen e Shqipërisë, por edhe një përvjetor të rëndësishëm të
shpalljes së pavarësisë. U mbush plot një shekull nga dita kur në Vlorë, u
ngrit flamuri kuq e zi nga patriotët shqiptarë me në krye Ismail Qemalin. Në
ditëlindjet e miqëve e të afërmve urojmë gjithnjë “U bëfsh edhe 100 vjeç!”. Por
unë Shqipërisë i uroj më shumë, se 100 vjet ajo i mbushi. Uroj që vendi im të
rrojë sa të jetë jeta, uroj që Shqipëria
të jetojë përjetë!
Është një ndjenjë që i bashkon të
gjithë shqiptarët, kudo që janë, pa asnje dallim. Është ndjenja kombëtare dhe
dashuria për vendin e tyre. Ky 100 vjetor i bashkoi shqiptarët më shumë se kurrë.
Të ardhurit nga trevat jashtë Shqipërisë si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia
etj, si edhe nga vendet e Evropës ishin të shumtë. Rrugët e qyteteve kryesore,
sidomos Tiranës dhe Vlorës, ishin mbushur me shqiptarë nga të gjitha krahinat.
Në pamundësi për të ardhur, kishte edhe shumë emigrantë të cilët e festuan 100
vjetorin e pavarësisë në vendet ku jetojnë.
Festimet ishin madhështore, si kurrë
më parë në Shqipëri! Përgatitjet kishin filluar që para disa muajsh për festimin e ditës së pavarësisë. Pjesëmarrja
e qytetarëve ishte shumë e madhe. Sheshet e rrugët u mbushën plot dhe kudo
ndihej patriotizmi dhe atdhedashuria. Koha ishte e keqe, frynte erë dhe binte
shi, por kjo nuk i pengoi njerëzit të merrnin pjesë në aktivitetet e
organizuara. Ata nuk dolën nga detyrimi apo për ndonjë miting politik. Dolën
nga dashuria për atdheun! Nuk kisha parë ndonjëherë kaq shumë shqiptarë të
mbledhur bashkë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua
edhe patriotëve shqiptarë, të cilët bën të mundur shpalljen e pavarësisë në 28
nëntor të vitit 1912. Ata sakrifikuan shumë nga jeta e tyre për vendin tonë.
Shqipëria bëri një shekull e pavarur falë përpjekjeve të këtyre atdhetarëve. Për
këtë arsye, gjatë festimeve të 100 vjetorit, figurat e tyre u lartësuan e u
vlerësuan nëpërmjet ekspozitave e monumenteve.
Gjatë festës së pavarësisë ra në sy
një problem i madh, kombi shqiptar vazhdon të jetë i copëtuar. Shqipëtarëve të
trevave jashtë Shqipërisë, iu desh të kalonin kufirin për të hyrë në Shqipëri.
Vendimet e marra në konferencën e Londrës përbëjnë ende një plagë për kombin shqiptar.
Shteti shqiptar mbushi 100 vjet i pavarur, por kufinjtë e tij përfshijnë vetëm
një pjesë të territoreve ku jetojnë shqiptarët. Kosova është shtet më vete, në
jug disa nga trevat shqiptare i përkasin Greqisë, në lindje Maqedonisë, në veri
Serbisë e në veriperëndim Malit të Zi. Në vitet në vazhdim duhet të përpiqemi
sa më shumë që t’i rrëzojmë këta kufinj, jo vetëm në zemrat dhe mendjet tona,
por edhe në harta. Jemi një komb, një gjak ndaj duhet të kemi një shtet e një
flamur. Shqipëria është e copëtuar dhe tani e në vazhdim duhen bërë përpjekje për
ta bashkuar atë, të bëhemi të gjithë një shtet i vetëm.
Pavarësia kurorëzoi një Shqipëri të lirë ndërsa
100 vjetori kurorëzoi një Shqipëri në zhvillim. Sot vendi ynë është në rrugën e
zhvillimit dhe integrimit në Evropë. Shqipëria është antare e NATO-s dhe po bën
përpjekje për tu integruar në BE. Momentalisht janë duke u plotësuar kushtet për
tu bërë vend kandidat. Vendi është duke bërë përmirësime të ndjeshme në fusha të
ndryshme, ekonomi, politikë, transport etj.
100 vjet
pavarësi kanë ndikuar në zhvillimin dhe stabilizimin e ekonomisë dhe industrisë.
Pas rënies së komunizmit, marrdhëniet me shtetet e tjera kanë rritur importet
dhe eksportet. Mjaft i zhvilluar në Shqipëri është edhe turizmi. Kushtet
klimatike dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë kanë ndikuar në zhvillimin e
turizmit dhe tërheqjen e turistëve nga e gjithë bota. Transporti gjithashtu është
zhvilluar shumë gjatë një shekulli. 100 vjet më parë, udhëtimi i Ismail Qemalit
drejt Vlorës, hasi probleme për shkak të transportit, (karoca me të cilën ai
udhëtonte u demtua dhe mbeti në rrugët e përbaltura nga shiu). Sot, një rrjet
rrugor i standardeve evropiane lidh Shqipërinë me vendet fqinje. Më e rëndësishmja
është Rruga e Kombit e cila lidh Shqipërinë ,e Kosovën, dy shtetet ku jetojnë
pjesa më e madhe e shqiptarëve.
Shqipëria është zhvilluar dhe ka ecur shumë përpara,
por ajo ka ende shumë rrugë për të bërë. Duhet bërë ende shumë përpjekje që
Shqipëria të bëhet një vend i mirfilltë i Bashkimit Evropian. Një tjetër detyrë
e rëndësishme e Shqipërisë është bashkimi kombëtar, duhen bërë përpjekje të mëdha
që ky qëllim të arrihet dhe të gjithë të jemi një shtet e të kemi një flamur.
100 vjet pavarësi për mua janë fillimi i
një Shqipërie të madhe, të zhvilluar dhe me qytetarë të denjë. Edhe një herë,
rrofsh moj Shqipëri përjetë!